Site icon Telegrafi

Shendi, yll i ri në FC Prishtina

I tillë me gjasë është edhe Shend Kelmendi, futbollisti 18-vjeçar i FC Prishtina, i cili doli të jetë figura qendrore në kryendeshjen e javës Drita – Prishtina. Nuk është vetëm goli i cili ishte vërtetë mjeshtëror, por qasja në lojë, besimi në vete dhe dëshira për të treguar se ai vërtet e ka merituar ta shijojë spektaklin e së dielës në Gjilan, janë veçori të cilat e karakterizojnë Shendin, idhullin e ri të “Tophanes”, lagjes ku jeton, por edhe e ardhmja e Prishtinës dhe futbollit kosovar.

Mënyra se si ai e pranon topin dhe e rehaton në rrjetën e portierit rival të lë përshtypje se nuk është fjala për një njomak i cili për herë të parë luan një ndeshje kampionale të seniorëve, duke bartur fanellën e skuadrës kampione. Shendi, nuk dëshiron të flasë dhe duket i heshtur në jetën e përditshme, por në fushë është zjarr.

Ai nuk ka shumë emocione, nuk e ndien tremën e cila zakonisht i përcjell dhe i dëmton lojtarët e rinj kur debutojnë, nuk ka kompleks se në fushë përballet me emra më të njohur se ai, madje fitohet përshtypja se ka përvojë të madhe dhe mbi supe bart shumë ndeshje në elitën e futbollit tonë. Kjo mbase e bën atë të dallohet nga moshatarët e tij.

“ Nuk kam pritur se do të luaj, por kjo ndodhi dhe ndihem shumë i lumtur që shënova gol”, thotë Shend Kelmendi. Shumë trajnerë duke i përcjellë paraqitjet e tija në garat e kadetëve e juniorëve shpesh thoshin se “Shendi ka diçka që u mungon të tjerëve, ai është i lindur për t’u bërë futbollist yll i futbollit, por i duhet seriozitet më i madh ”. Duket se kanë ardhur “pesë minutat” e Shendit, ka ardhur koha që ai të dëshmohet, natyrisht me punë, përkushtim e angazhim të madh. Natyrisht se meritat janë edhe të familjes së tij, e cila ka ndihmuar prore Shend Kelmendin, duke i dhënë kurajë edhe në momentet kur ai ndihej i anashkaluar, kur dukej se është “ftohur” nga loja e futbollit.

Andaj është e natyrshme që goli në Gjilan e ka gëzuar më së shumti familjen, e cila ka kohë që po e prisnin shkëlqimin e tij, aq më tepër kur ky gol i dedikohet pikërisht familjes së tij.. “Edhe në të ardhmen do ta ketë përkrahjen tonë, por duke mos e lënë në asnjë mënyrë anash mësimin”, thonë prindërit e Shendit. Nëna e tij sikur ende nuk e ka guximin t’i përcjellë ndeshjet, kurse babai është gjithnjë pranë tij, e kështu ishte edhe në ndeshjen Drita – Prishtina. /Zëri/Telegrafi/ 

Exit mobile version