Besa Begu,
Higjieniste dentale
Ekzistojnë faktorë shumë të rëndësishëm të cilët duhet të konsiderohen tek pacientët me sindromin Down, duke përfshirë shërimin dental, përkrahjen emocionale si dhe teknikat të cilat ndihmojnë pacientët me këtë sindrom të bëhen më kooperativë në trajtimin stomatologjik. Bashkëpunimi me prindërit dhe stafin e stomatologjisë është tejet i rëndësishëm. Këshillat për parandalimin e sëmundjeve orale si dhe masat parandaluese, janë shumë të rëndësishme për shëndetin oral të fëmijës me sindromën Down.
Shenja që karakterizon pacientët është oklusioni i hapur, apo gojë e hapur, e cila rezultohet si pasojë e muskujve të dobët të fytyrës. Për shkak të muskulaturës së dobët, këta pacientë kanë edhe vështirësi në përtypjen optimale të ushqimit dhe pastrimin “natyral” të gojës. Shumë herë ushqimi arrin të mbetet në sipërfaqet e dhëmbëve dhe kjo pastaj mund të shkaktojë kariesin (prishjen e dhëmbëve).
Pacientët me Down sindrom kanë imunitet të dobët dhe ballafaqohen shumë herë me sëmundjet e mishit të dhëmbit, siç është parodontopatia, shkruan Telegrafi. Këta fëmijë vuajnë nga sëmundjet respiratore kronike. Kjo rezulton që ata të marrin frymë nga goja dhe si pasojë shkakton xerostomi (gojë të tharë). Xerostomia shkakton fisura në gjuhë dhe buzë të thara. Kjo, në të ardhmen, mund të shkakton dhe apthous ulcers (plage në gojë), candida si dhe acute necrotizing ulcerative gingivitis (sëmundje e rëndë e mishit të dhëmbëve).
Këta pacientë kanë me të vërtetë nevojë për përkujdesje të veçantë dhe të edukohen për mirëmbajtjen e shëndetit oral si dhe të marrin trajtime sistematike të fluorit. Vulosjet e dhëmbëve rekomandohen gjithashtu. Kariesi në dhëmbët e qumështit duhet të trajtohet me kohë, meqë dhëmbët e përhershëm dalin me vonesë dhe mungesa e shumë dhëmbëve gjatë kohës tregon rëndësinë e mirëmbajtjes së dhëmbëve të qumështit.
Sigurisht që mirëmbajtja e dhëmbëve në shtëpi luan një rol shumë të rëndësishëm. Shumë herë është i vështirë bashkëpunimi me fëmijët dhe, kjo vështirëson mirëmbajtjen dhe pastrimin e dhëmbëve në shtëpi. Prindërit duhet të jenë shumë disiplinues dhe të ndihmojnë fëmijën; shumë herë preferohen brushat elektrike si dhe mbajtës të penjve për pastrimin në mes të dhëmbëve.
Si përfundim, duhet të ceket se këta pacientë kanë nevojë për një përkujdesje dhe përkrahje të veçantë nga prindërit si dhe stafi stomatologjik. Me ndihmën e vizitave të rregullta tek stomatologu si dhe pastrimin e rregullt, këta pacientë mund të arrijnë një shëndet të mirë oral. Shëndeti oral luan një rol të rëndësishëm për mirëqenien e këtyre pacientëve, pasi që shton kualitetin jetësor, ndihmon që të ushqyerit të jetë më i lehtë dhe këta fëmijë të jenë më të shëndetshëm.
Çfarë është sindromi Down?
Syndromi Down quhet ndryshe trisomia 21. Është një situatë ku materiali gjenetik i shtuar shkakton një vonesë në zhvillimin mendor dhe fizik. Ajo prek 1 në 800 lindje.
Të dhënat fizike dhe problemet mjekësore të lidhura me syndromin Down ndryshojnë shumë nga fëmija në fëmijë. Ndërkohë që disa fëmijë kanë nevojë për një vëmendje mjekësore të veçantë, të tjerët bëjnë një jetë të shëndetshme.
Megjithëse askush nuk e di me siguri pse ndodh sindromi Down dhe nuk ka një mënyrë për parandalimin e gabimit gjenetik, ai mund të zbulohet para lindjes. /Telegrafi/