Site icon Telegrafi

Shën Kadare

Ismail Kadare (1936-2024)

Nga: Edison Ypi

I ra Ferrit majtas, djathtas, para, mbrapa, lart, poshtë, diagonalisht, kryq e tërthor, rreth e përqark. S’la zgëq pa ia parë. S’la qosh pa ia ndier. S’la hile pa ia nxjerrë. S’la sekret pa ia zbuluar. S’la torturë pa ia vuajtur.

S’mbeti budalla pa e përgojuar.

S’mbeti analfabet pa i vënë në dukje gabime në stil dhe përmbajtje.

S’mbeti mediokër pa e mësuar si duhej të shkruante perfeksionistin e tekstit.

S’mbeti burokrat partie pa e kërcënuar për gabime ideologjike, pa i treguar hekurat, prangat, burgun.

S’mbeti injorant pa e kritikuar. Atëherë për vigjilenca, ideologjira, të munguara. Sot për kodra mbas bregut.

S’ju tut aspak, as atyre, as këtyre, dhe askujt tjetër.

E çorrën, e rropën, e baltosën, e grisën, e kafshuan, turlilloj qensh e zagarësh. S’lëvizi nga llogorja.

Analfabetët që s’kishin lexuar asgjë iu vërsulën me kritika dhe këshilla nga më absurdet, nga më halucinantet. S’u tund nga istikami.

Nga kooperativistat, traktoristat, proletarët, stakanovistat, fituesit e garave, mbajtësit e yllit, valëvitësit e flamurit, shtruesit e rrogozit, puthadorët, këpucëlëpirësit, ushtarët, detarët, marinarët, tokësorët, ajrorët, të gjallët, të vdekurit, deri tek akademikët e thekur e qortuan pafundësisht për mungesë vigjilence, mos zbatim të Luftës së Klasave, për ujë në mullirin e armikut etj. S’ia bëri tërr syri.

Rrenat dhe intrigat që ia thurën ziliqarët, s’patën të krahasuar me ato të Mesjetës. S’pordhi asnjërin. I bëri pluhur e hi të gjitha.

Aleancën më të qelbët mes sigurimsave dinakë dhe të vuajturve budallenj e mëshiroi dhe dënoi si e meritonte, me heshtje.

E goditën me gjyle balte në mbledhje kolektivi. E ndotën mbi rroba. I pastroi me një të shkundur.

Ju vërsulën me plumba dhe bomba nëpër plenume. Artileritë e tyre qesharake, mbi veprën kolosale, nuk bënë asnjë efekt. Talli dhe përbuzi artilierët e llumeve dhe plenumeve.

Në veprën oqeanike nuk ka absolutisht asgjë autoreferenciale. Shkroi miliona e miliona fjalë. Dhe, atë që llapaqenat e kanë të tretën fjalë unë – nuk e shkroi kurrë. Asnjëherë të vetme.

Ta shaje ishte meritë që duhej të kishe paturpësinë ta bëje.

Ta lëvdoje ishte rrezik që duhej ta përballoje.

Edhe më të qelbtit, edhe më të neveritshmit, edhe më rrezikshmit nuk gjetën dot kurrë diçka të besueshme, diçka faktike, diçka objektive, diçka bindëse, sado të vogël, sado të imët, sado të largët, për ta goditur.

S’ia ndërtojmë dot një kishë a një tempull të madh e të lartë sa e meriton, se e vjedhim pa e filluar.

S’ia ngremë dot një shtatore prej floriri, se floriri na duhet për unaza nëpër gishta dhe zinxhirë nëpër qafa.

Nga tërë kjo zhurmnajë pa pikë kuptimi, pa presje çlodhëse, pa pikëpyetje frike, vetëm me pikëçuditse të pafundme, iku të çlodhet pak.

Exit mobile version