Ministria e Infrastrukturës nesër del në vendin ku është shembur rruga
Një rrugë është shembur sot në magjistralen Prishtinë-Gjakovë por qarkullimi në rrugën kryesore nuk është penguar ani pse shembja ka qenë e madhe.
Ekipet e Ministrisë së Infrastrukturës pritet të dalin nesër tek “Kodra e Becit” ku edhe ka ndodhur shembja sot.
Drejtori i Menaxhimit të Rrugëve në Ministrinë e Infrastrukturës, Malë Lokaj ka bërë të ditur për KP se shembja është e madhe por trafiku në ketë pjesë ka qarkulluar pa pengesa.
“Na ka ndodhur shembje, jemi të informuar, dhe kemi plan nesër që me dal një ekip edhe me i vizitua në vendin e ngjarjes. Shembja është e madhe, është një bypass, ndërsa na është thënë që trafiku nuk ka pasur pengesa, jo me komoditetin e duhur, por qarkullon trafiku. Nesër do të jemi në vendin e ngjarjes nga Ministria dhe do të shohim konkretisht se si qëndron situata atje, dhe do flasim për hapat”, tha ai.