Një pjesë e një qiellgërvishtësi në qytetin Surfside, jo shumë larg plazhit të Miamit, në shtetin amerikan të Floridës, u shemb gjatë natës së mbrëmshme.
Më shumë se një e treta e ndërtesës 12-katëshe, e cila strehon 136 apartamente, u shemb në mes të natës, rreth orës 1:35 të mëngjesit me kohën lokale.
Policia konfirmoi mbrëmë se nuk e dinte vendndodhjen e 99 personave që besohet të kenë qenë në ndërtesë në kohën e shembjes gjersa një persona ka vdekur.
Shkaku i shembjes së një rrokaqielli të ndërtuar në vitin 1981 është ende i panjohur. Është konfirmuar që punimet ndërtimore po kryheshin në çatinë e ndërtesës, por nuk dihet nëse ato shkaktuan shembjen, raporton cnn.
Daniella Levine Cava, kryetare e Komunës së Miami-Dade tha se ishte nisur një hetim për të përcaktuar se çfarë e shkaktoi shembjen. Ajo tha se inxhinierët e ndërtimit, qyteti i Surfside dhe zjarrfikësit do të përfshihen në hetim.
Gjeologu dhe ekologu Shimon Wdowinski i Institutit të Mjedisit të Universitetit të Florida tha për CNN-ën se ka gjetur që ndërtesa Champlain Towers South filloi të fundosej në vitet 1990.
Sipas hulumtimit të tij, rrokaqielli u shemb rreth dy milimetra nga viti 1993 në 1999. Wdowinski tha se ky nivel i rrënimit ndoshta vetëm nuk mund të kishte shkaktuar shembjen e ndërtesës, por shtoi se mund të kishte kontribuar në incident.
“Nëse një pjesë e ndërtesës lëviz në krahasim me një tjetër, kjo mund të shkaktojë disa tensione dhe çarje”, shpjegoi Wdowinski.
Ndryshe, guvernatori i Floridas, Ron DeSantis ka dhënë një urdhër për të siguruar ndihma për familjet e prekura nga shembja dhe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. /Telegrafi/