Sllovenia po përballet me situata të jashtëzakonshme shkaku i stuhive dhe përmbytjeve të mëdha pas reshjeve të dendura atmosferike.
Tashmë është publikuar një video e shembjes së një ure në rrugën ndërmjet Stahovicës dhe Kamnikut në qytetin e Kamništa Bistrica, Sllovenia.
Në momentin e shembjes së urës, në të kalonte një veturë, e cila në momentin e fundit është ndalur dhe është kthyer menjëherë pas.
Theksojmë se të paktën tre persona kanë humbur jetën si pasojë e stuhisë dhe përmbytjeve katastrofike që përfshiu Slloveninë, njoftoi agjencia sllovene e lajmeve STA.
Reshjet rekord, të cilat kryesisht shkaktuan përmbytje në pjesën veriore të Sllovenisë, nuk janë afër fundit, paralajmëroi të premten meteorologu Brane Gregorçiq nga Agjencia Sllovene e Mjedisit (Arso).
Për shkak të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut, shumë rrugë janë mbyllur, duke përfshirë edhe disa më të mëdha si Dravograd-Maribor, Dravograd-Ravne dhe Dravograd-Sllovenj Gradec. /Telegrafi/