Të paktën tetë fëmijë kanë vdekur dhe shumë të tjerë janë të bllokuar pasi një ndërtesë në të cilën gjendej një shkollë është shembur në qytetin nigerian të Lagosit.
Shkolla, e cila ishte në katin e fundit të ndërtesës tre katëshe në Ita Faji në ishullin Lagos, kishte më shumë se 100 nxënës, tha një zyrtar i shpëtimit për BBC, përcjell Telegrafi.
Siç bëhet e ditur tutje, rreth 40 nxënës u nxorën të gjallë, ndërsa ekipet e shpëtimit janë në kërkim edhe të tjerëve.
Shkaku i shembjes së ndërtesës ende nuk është i qartë.
Ndryshe, ndërtesa e shembur ishte një bllok rezidencial që përmbante një numër apartamentesh, si dhe shkollën, banorët dhe zyrtarët e shpëtimit në vendngjarje i thanë BBC-së. /Telegrafi/