Kompania e derivateve “Shell” ka hapur sot pikën e 45-të në Kosovë, e në përurim kanë marrë pjesë edhe figura politike të Kosovës.
Kjo kompani festoi hapjen e pikës së re në Prizren, e përfaqësuesit e saj u zotuan të sjellin cilësi e risi për konsumatorët.
Presidenti i kësaj kompanie për Kosovë, Latif Kryeziu tha se “Shell” është eksploruesi më i madh i naftës në botë që u ofron derivate 30 milionë konsumatorëve në ditë. Njëherësh Kryeziu premtoi se vitin e ardhshëm do të hapin vende të reja pune dhe tha se Kompania “Shell” me zgjerimin e saj po e ndihmon ekonominë e Kosovës.
“Atë që e bën ‘Shell’ është shkencë, është fuqi dhe është arritja më e madhe në botë me produktet e saj. Investimet që janë bërë dhe do të kryhen deri në fund të vitit janë mëse 10 milionë dhe kemi rritur numrin e të punësuarve për 200. Por, edhe në vitin 2019 do të kemi edhe 10 milion euro dhe 300 të punësuar të tjerë këtu në Kompaninë ‘Shell”, ka thënë Kryeziu.
I pranishëm ishte edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili nuk i kuresu lëvdatat për kompaninë, i cili tha se ardhja e këtij brendi në Kosovë nënkupton ekonomi të re e stabilitet të ri. E sipas Hoxhajt, ardhja e këtij brendi në Kosovë është gjëja më e mirë që i ka ndodhur Kosovës në 10 vjetorin e pavarësisë.
“Dua t’iu përgëzoj për ardhjen e këtij brendi, i cili është lajmi më i mirë që ka Kosova në 2018-tën. Ajo çka mund të bëjmë është që, ekonominë e fortë, shoqërinë e fortë nuk mund ta ndërtojë politika, po mund ta ndërtojë ekonomia, dhe një shoqëri e fortë mund të bëhet vetëm nëse ka ekonomi të fortë dhe kjo është pritje e jona si qeveri e Kosovës dhe çdo gjë që mund ta bëjmë, do të jemi në dispozicionin tuaj”, ka thënë Hoxhaj.
Kurse drejtori i kësaj kompanie për Europën Juglindore, Wig Riegman tha se shitjet e derivateve kanë kaluar parashikimet e kompanisë dhe tha se klientët po ndahen të kënaqur. Ai njoftoi për planet e vitit të ardhshëm, ku ndër të tjerash njoftoi se do të sjellin disa brende botërore në Kosovë.
“Gjithashtu në dyqane jemi duke punuar për të sjellë brende botërore, supermarkete dhe fast-food, dhe disa nga partnerët tanë janë ‘MC Donalds’, ‘Starbucks’, dhe ne po punojmë në këto inciativa. Në fund të këtij viti, të gjitha pikat e ‘Shell’-it do të ribrendohen e po ashtu po planifikojmë zgjerimin e rrjetit me pika shtesë në vitin tjetër. Ne po ashtu po synojmë që të jemi të parët në treg”, ka thënë Riegman.
Përndryshe, Kompania e derivateve “Shell” operon në 82 shtete të botës. Në Kosovë tani operon me 45 pika, e pritet që në të ardhmen këto pika të shtohen bashkë me brende të tjera botërore, raporton KosovaPress.