Ish-luftëtari i UÇK-së, Shekip Fazliu ka rrëfyer sekuenca nga lufta e 5,6 dhe 7 marsit në Prekaz.
Fazliu në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini thotë se UÇK-ja nuk mund të njolloset nga askush.
“UÇK doli nga vet populli dhe populli e ndihmoi. UÇK-ja nuk doli nga rastësia por u frymëzua edhe nga historia”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Ish-luftëtari i UÇK-së thotë se nuk ka menduar se ndonjë ditë do të duhej të dilte për të mbrojtur luftën e UÇK-së.
Megjithatë ai thotë se procese gjyqësore ka pasur edhe më herët por ish-ushtarët e UÇK-së kanë dalë faqebardhë dhe më pas kanë vazhduar kontributin e tyre.
Shekip Fazliu i cili ka qenë njeri i besueshëm i familjes së Adem Jasharit dhe në momentet delikate të 5 marsit ka qenë në shtëpinë e komandantit.
“Nuk ka qenë rastësi që unë u gjenda me 5 mars të familja Jashari. Me 4 mars nga Prishtina i kam telefonuar Bashkimit pasi ishin disa sinjale. Ai më ka thënë “ja sot, ja kurrë”. Bashkë me Rustem Mustafën kemi arrit në mesditë te kullat e Jasharajve. Në mbrëmje ka ardhur edhe Adem Jashari”.
Fazliu thotë se lufta në Prekaz ishte në përmasa të paimagjinueshme.
Ai thotë se në mëngjesin e 5 marsit forcat serbe e kanë kuptuar që ne nuk dorëzohemi dhe më pas kanë hyrë me artileri të madhe.
“Në rrezik të madh kemi qenë më shumë nga rënia e tjegullave se nga plumbat…Bashkim Jashari më gjuajti një bombë dore dhe më tha “mbaje këtë e ke për veti”, nga frika mos harxhonim plumbat dhe binim në dorë të armikut”.
Fazliu thotë se gjatë luftimeve në Prekaz personalisht nuk është përballë me ushtarë apo policë serb por vetëm me tanke dhe autoblinda./Telegrafi/