Prizreni është komuna e dytë në Kosovë sa i përket numrit të përgjithshëm të infektuarve me COVID-19 në Kosovë.
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prizrenit, Visar Shehu thotë për RTV Dukagjinin se pavarësisht numrit të madh të infektuarve ditët e fundit ka lajme të mira sa i përket të shëruarve.
“Vetëm mbrëmë kanë rezultuar 19 të shëruar dhe numri i përgjithshëm i të shëruarve në Prizren ka shkuar në 67. Nga 94 të infektuar për fat të keq dy nga at kanë ndërruar jetë”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Shehu thotë se nga 24 rastet aktive, katër prej tyre janë të shtrirë në Klinikën Infektive në Prishtinë por që gjendja e tyre shëndetësore është stabile.
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prizrenit thotë se testimet për të dyshuar do të vazhdojnë në këtë komunë, ndërsa sonte priten rezultate të reja për numrin e përgjithshëm të infektuarve dhe shëruarve në Prizren.
Shehu thotë se duhet të ruhet distanca sociale nga ana e qytetarëve pasi sipas tij jemi në fund të pandemisë dhe se “nuk duhet prishur puna në 10 minutat e fundit”.
Ai thotë se kupton edhe aspektin psikologjik të njerëzve që kanë qëndruar brenda por lut qytetarët të mos grumbullohen në grupe./Telegrafi/