Përfaqësuesi juridik i Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SASHK), Vanço Shehtanski thotë se gjyqësia është selektive, pasi që gjykatës të ndryshëm, për lëndë të njëjtë marrin vendime të ndryshme, në bazë të njëjtë.
Sipas tij, mbi 120 padi janë ngritur në bazë të transformimit të marrëdhënies së punës, me orar të caktuar dhe të pacaktuar të mësimdhënësve të shkollave të mesme dhe fillore, përmes zyrës së avokaturës të SASHK-ut, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Rreth 1700 mësimdhënës presin një transformim të këtillë. Shehtanski paralajmëroi në konferencë shtypi se do të ankohen edhe te Avokati i Popullit, për shkelje të Neneve 6 dhe 7, nga Ligji për marrëdhënie pune.
Ai thotë se ky problem vjen si rezultat i pengesave ligjore për Komisionin për marrëdhënie pune, respektivisht Ligjit për zgjedhje që ndalon transformimin e të punësuarve, në periudhë zgjedhjesh.
SASHK bën të ditur se nga 2009 e deri më 2017 kanë ndodhur 800- transformime, kurse tani për tani ka mësimdhënës me nga pesë vite stazh, por ende nuk kanë transformim./Telegrafi/