Site icon Telegrafi

Sheholli: “Armata e Veriut” po kërcënon me likuidim pjesëtarët serbë të FSK-së (Video)

Fatmir Sheholli, drejtor i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, ka thënë se ka lajme të këqija nga disa hulumtime që janë bërë nga instituti ku ai punon.

Sheholli në Debat Plus me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se dy pjesëtarëve serb të FSK-së u janë hedhur bomba në oborrin e shtëpisë.

“Ata me një heshtje të jashtëzakonshme dhe një frikë të jashtëzakonshme kanë vendosur të heshtin. Të hedhin bombën në oborr dhe të heshtësh është një durim i jashtëzakonshëm”.

Sheholli ka thënë se në bazë të hulumtimeve që ka bërë, në komunat ku banojnë serbët janë hedhur pamflete ku bëhet thirrje për likuidime të këtyre djemve, që i janë bashkuar FSK-së.

“Kemi hasur në disa komunikate të një ashtuquajtur “Armatë e Veriut” që janë shumë shqetësuese. Në komunikatë përmenden me emër dhe mbiemër njerëz që duhet të vriten, për të vetmen arsye pse ata i janë bashkuar FSK-së”.

Hulumtuesi ka thënë se pos personave që janë përmendur se duhen vrarë, “Armata e Veriut” ka bërë thirrje që edhe familjet e tyre të leçiten.

“Në komunikatë thuhet se edhe familjet e tyre duhet të leçiten dhe ata nuk duhet të shërbehen në dyqane e restorante”.

Sheholli ka thënë se pjesëtarët e Shërbimit Sekret Serb kanë komunikuar me pjesëtarët serbë të FSK-së nga Anamorava dhe i kanë kërcënuar me 10 vite burg nëse nuk tërhiqen nga këto pozita.

“Ata janë ftuar nga Marko Gjuriq në Beograd, dhe në Serbi janë kërcënuar nga pjesëtarët e Shërbimit Sekret Serb me burim prej 10 vitesh burg nëse nuk tërhiqen nga pozitat e tyre në FSK”, tha ai./Telegrafi/

Exit mobile version