Site icon Telegrafi

Shehaj shtien për histori

Qitësja shqiptare Enkelejda Shehaj ka arritur rezultat për histori javën e kaluar. Ajo ka fituar garën kualifikuese të SHBA-së për lojërat olimpike “Rio 2016”, në disiplinën 25 metra me pistoletë, të njohur si disiplina e pistoletës sportive.

Sigurimi i normës për vendin me sportin më të zhvilluar në botë nuk është suksesi i vetëm që e ka arritur veterania e qitjes shqiptare. Ajo është bërë vetëm sportistja e tretë në histori që merr pjesë në Lojëra Olimpike, 20 apo më tepër vjet pas pjesëmarrjes së fundit, shkruan sot Koha Ditore.
Shehaj së fundi në ngjarjen kryesore sportive kishte garuar në vitin 1996 në Atlanta të SHBA-së.

“Shehaj ka garuar për Shqipërinë në Lojërat Olimpike të vitit 1992 dhe në ato të vitit 1996. Në Barcelonë ka përfunduar e 14-ta. Ajo erdhi në SHBA në vitin 1999 dhe u bë shtetase amerikane në vitin 2012. 47-vjeçarja është pronare e një restoranti mesdhetar. Ajo është bërë vetëm sportistja e tretë e të gjitha kohërave që ka 20 apo më shumë vjet dallim në mes pjesëmarrjeve në Olimpiadë”, ka shkruar sajti i Federatës së Qitjes së SHBA-së.

Garën kualifikuese të SHBA-së, Shehaj e fitoi vetëm me shtënien e fundit. Gara e saj ishte më interesantja në kualifikimet e SHBA-së. Kishte dy konkurrente të forta, por në tentimin e fundit arriti pikët që në muajin gusht do ta dërgojnë në Rio të Brazilit. Gara kualifikuese u zhvillua për tri ditë rresht.

“Nuk mund të besoj që u vendos me shtënien e fundit. Ishte garë treditore, por në fund u vendos nga një shtënie. E kam ditur që në ditën e fundit duhet të zë vendin e parë për të arritur ndonjë gjë. E dija që kisha konkurrencë të fortë. Është ëndërr e bërë realitet që do të jam në ekipin e SHBA-së. Kam dashur të marr pjesë edhe në një Olimpiadë para pensionimit. Shpresoj se diçka e mirë do të ndodhë në këtë olimpiadë. Ishin tri ditë të gjata dhe unë nuk e di nëse jam e vetëdijshme se çka kam arritur. Emocionet mund të jenë edhe më të mëdha me kalimin e ditëve”, ka thënë Shehaj.

Exit mobile version