Në këtë promovim morën pjesë personalitete të shquara të jetës fetare, politike dhe shoqërore nga trojet shqiptare.
Njëri ndër recensentët i këtyre veprave ishte hoxhë Ahmed Kalaja nga Shqipëria, i cili vlerësoi lart kontributin e hoxhës Shefqet Krasniqit, duke e quajtur atë si njeri që ka arritur të nxjerrë mësimet islame nga xhamia dhe t’i shpalosë ato në mënyra të ndryshme tek secili qytetar i vendit.
Sa i përket veprës së “Komentimit të Sures Ta-Ha”, Kalaja vlerësoi se gjuha dhe stili i përdorur nga autori është i veçantë duke paraqitur në mënyrë kronologjike ngjarjet e ndodhura dhe duke i ndarë në kapituj secilin prej tyre.
Ndërsa recensent i veprës "Banorët e Shpellës" ishte hoxhë Muhamed Demaku, i cili tha se autori me kujdes te veçantë ka përmendur vlerat e dijetarëve të mëparshëm, duke treguar në mënyrë brilante jetën e rinisë së asaj kohe, sidomos të djelmoshave që vendosën të jetojnë në shpellë.
Kjo vepër sipas recensentit tregon qartë fuqinë e lutjeve dhe përgjigjen nga Zoti i Madhërishëm. Edhe në aspektin shkencor veprat e Krasniqit nga recensentët u vlerësuan si shumë stabile dhe të qarta, duke i argumentuar me referencë dhe fusnotë çdo citat.
Në fund foli edhe vet autori hoxha Shefqet Krasniqi, i cili falënderoi të pranishmit dhe pohoi se “veprat e botuara sonte janë vazhdimësi e veprave të kaluara dhe se një traditë e tillë do të vazhdojë edhe në të ardhmen”.
Sipas tij, qëllimi kryesor i botimit të këtyre veprave është zbërthimi i sureve të Kur’anit në gjuhën e ëmbël shqipe që çdo shqiptar të ketë mundësi të njihet me kuptimin e Kur’anit famëlart.
Krasniqi po ashtu në fjalën e tij tha se muaji i shenjt i Ramazanit është simbol i bashkimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë, andaj bëri thirrje që pavarësisht divergjencave të bashkohemi të gjithë për interes të kombit dhe shtetit. /Telegrafi/