Avokati shqiptar, Shefqet Dizdari, ka folur në detaje edhe për zhdukjen e veprimtarit Remzi Hoxha, më 21 tetor 1995 në Shqipëri.
Dizdari, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin transmetuar në RTV Dukagjini, ka thënë se vrasja e Remzi Hoxhës ishte tragjike sepse ka ndodhur në institucione të shtetit shqiptar.
Ai thotë se pas zhdukjes së Remziut ai ishte takuar me vëllain e tij, ku thotë se ishte ndjerë i shqetësuar.
“Atë e kishin mashtruar duke e dërguar në Skrapar dhe i kishin kërkuar shuma të mëdha parash se gjoja i kanë gjetur eshtrat e të vëllait [Remzi Hoxhës]. Unë në atë moment e ndjeve obligim të thirrja Zv/prokurorin e Përgjithshëm për t’i sqaruar rrethanat”.
Dizdari thotë se pas takimit me prokurorin ai e pa që dosja për zhdukjen e Remziut ishte hapur vetëm formalisht dhe menjëherë urdhëroi një hetim të ri me një prokuror të besueshëm.
Gjatë fillimit të hetimeve ai thotë se menjëherë u vërejt që Remzi Hoxha ishte marrë nga dy oficerë të Shërbimit Informativ Kombëtar (SHIK), e që sipas tij, ishte shumë e rëndë.
“Për fat të mirë targa e makinës ishte pikasur nga disa banorë e që ishte gjurma e parë. Ministria e Brendshme nuk jepte informacione se targa i përkiste Shërbimit Informativ. Pas përplasjeve mes institucioneve më në fund Ministria e Brendshme dha informacionin se targa i përkiste Shërbimit Informativ”.
Dizdari tregon më tej se janë nxjerrë katër urdhra arresti e që për fat të keq ato kurrë nuk janë ekzekutuar.
Avokati thotë se nuk e di për kënd ka punuar por është përgjegjësi shtetërore pasi ai u mor nga personat e shtetit dhe në duart e tyre vdiq.
“Këtu shteti duhet të mbante një qëndrim që për fat të keq edhe sot e kësaj dite nuk ka një qëndrim”.
Dizdari thotë se në bazë të gjitha informacioneve vrasja e Remzi Hoxhës nuk ka qenë e qëllimshme por në përpjekje për të marrë informacione nga ai, gjatë keqtrajtimeve ai ka vdekur.
Avokati thotë se ka dyshime që Remzi Hoxha dhe katër persona të tjerë kanë qenë në ndjekje të lëvizjeve të presidentit të asokohshëm të Shqipërisë, Sali Berisha.
“Remzi Hoxha ishte një biznesmen kosovar në Shqipëri që bënte punën e tij me dyer e dritare. Por kjo puna tjetër e tij [përcjellje e lëvizjeve të Berishës] nuk kishte një sens logjik. Pse u përfshi duhet të shpjegojnë shokët e tij. Përfshirja e tij si do që të jetë ka qenë e gabuar”.
Dizdari thotë se megjithatë vdekja e Remzi Hoxhës në duart e autoriteteve shqiptare duhet të hetohet dhe personat që kanë tejkaluar kompetencat e tyre duhet të japin llogari./Telegrafi/