Mbizotërimi i infektimeve nga gripi dhe viruseve të tjera respiratore ka ulur ndjeshëm interesin e qytetarëve për të marrë vaksinën anti-COVID. Moshat e treta, kryesisht të sëmurë kronikë janë të vetmit që nuk i kanë shkëputur trupit të tyre memorien ndaj këtij virusi duke marrë sipas afateve vaksinën.
Por ndryshe nga perceptimi i krijuar se COVID nuk është më problematik, për OBSH-në, vigjilenca ndaj këtij virusi nuk duhet ulur. Geraldine McWeeney, shefja e zyrës së OBSH për Shqipërinë ka marrë këtë të enjte në ambientet e qendrash shëndetësore dozën e dytë përforcuese duke dhënë shembullin e saj personal se si duhet të mbrohemi nga nënvariantet e reja në qarkullim.
“Shumë prej vaksinave kanë nevoje të përsëriten që të jenë efektive. Ka patur shumë pyetje a na mbrojnë edhe ndaj nënvarianteve të reja. Ajo ç’ka unë ju them njerëzve kur më bëjnë këtë pyetje është. Ju duhet ta shihni Covid siç shihni një familje, e cila është bërthama e origjinës së fëmijëve, nipërve, mbesave etj.Disa të gjatë e disa të shkurtër, disa të sëmurë e disa të shëndetshëm si një panoramë e gjërë gjithëpërfshirëse”, tha ajo, raporton rtsh.
“Kur unë shoh vaksinën, nuk mund të mos marr xhaketën e cila është origjina e grupit të anëtareve te familjes. Në rregull, ju mund të thoni kjo xhaketë nuk do t’i rrijë mirë nipave e mbesave, por më lëjoni të jem e qartë. Nëse jashtë është ftohtë dhe vishni xhaketën, ajo do t’ju mbaj ngrohtë. Ndoshta nuk do t’ju rrijë perfekt por kjo vaksinë do t’ju japë mbrojtje me disa gradë”, u shpreh Geraldine McWeeney.
Virusi pandemik, ndonëse ka dobësuar agresivitetin është ende në qarkullim dhe kjo mund të rrezikojë shëndetin personave të pavaksinuar dhe atyre me imuntet të dobët.