Site icon Telegrafi

Shefja e tenderëve të Avdullah Hotit, vazhdon punën pa licencë

Elmaze Xhema, zyrtarja e suspenduar e prokurimit në Ministrinë e Financave, vazhdon të kryej punën sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Kështu të paktën shihet në njoftimet për kontrata të kësaj ministrie të publikuara në ueb faqe të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, shkruan Gazeta Fjala.

Xhema, të cilës i është marrë licenca e punës, vazhdon të qëndroj në të njëjtën zyrë dhe të kryej të njëjtat detyra (bazuar në njoftimet e publikuara) për të cilat ishte pezulluar nga punë, pasi kishte bërë një varg shkeljesh të konstatuara edhe nga Organi Shqyrtues i prokurimit Publik.

Gazeta Fjala ka kontaktuar me zyrtaren Xhema, e cila e ka konfirmuar se është duke ushtruar detyrën e zyrtares së prokurimit dhe është në pritje të vendimit përfundimtarë të OSHP-së pas ankesës që ka bërë, me pretendimin se OSHP kishte gabuar në rastin e saj.

“Unë jam duke e kryer detyrën, por në mungesë të licencës nuk kam të drejtë vetëm të nënshkruaj vendimet”, ka thënë Xhema.

Gazeta Fjala ka raportuar në dhjetorë se si OSHP pas shkeljeve të vazhdueshme të rregullave të prokurimit, kishte vendosur që asaj t’i merret licenca e punës me 4 dhjetor me arsyetimin se “zyrtarja e prokurorimit në fjalë ka bërë shkelje të vazhdueshme esenciale të dispozitave të Ligjit të Prokurimit Publik”. /Telegrafi/

Exit mobile version