Telegrafi

Shefja e BE-së në Kosovë zhvillon takim me Dedën e Kusarin

Sot në zyrat e Alternativës ka qëndruar shefja e zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Natalyia Apostolova, ku është takuar me shefen e Alternativës, Mimoza Kusari – Lila dhe nënkryetarin, Ilir Deda.

Këtë e kanë bërë të ditur një komunikatë për media nga kjo parti, duke theksuar se temë e diskutimit ka qenë gjendja e krijuar pas zgjedhjeve të parakohshme të 11 qershorit dhe domosdoshmëria e krijimit të institucioneve kredibile për të qeverisur në Kosovë.

Udhëheqësit e Alternativës sipas saj deklarate, e njoftuan Apostolovën me qëndrimet dhe vizionin e tyre si deputetë të zgjedhur të Kuvendit të Kosovës, se si e shohin Qeverinë e ardhshme të Kosovës.

“Të dy palët u dakorduan se vonesat në krijimin e institucioneve mund tu shkaktojnë dëme Kosovës, të cilat jo vetëm që mund ta zvogëlojnë kredibilitetin e zgjedhjeve, por edhe mund të shkaktojnë dëme të konsiderueshme ekonomike dhe financiare, si rrjedhojë e humbjes potenciale të fondeve të BE-së përmes IPA-së, gjë e cila po ashtu ndërlidhet me zbatimin e marrëveshjes me FMN. Alternativa si subjekt politik, mbetet e përkushtuar që Qeverisja e ardhshme e Kosovës duhet në mënyrë të qartë t’i jap prioritet luftës ndaj korrupsionit, zhvillimit ekonomik dhe integrimit të vendit, ndërsa çështjet me rëndësi për vendin i shohim të zgjidhen me consensus të gjerë politik”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/