Shefja e re e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh ka arritur në Kosovë, ndërkaq ka shprehur mbështetje për dialogun Kosovë-Serbi.
Ajo ka thënë se nën udhëheqjen e saj UNMIK-u do të mbajë përkushtimin për të mbështetur institucionet dhe popullin e Kosovës në realizimin e një të ardhmeje më paqësore dhe prosperuese përmes promovimit të të drejtave të njeriut.
“Pres me padurim të angazhohem me autoritetet e Kosovës dhe shoqërinë civile, si dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë në Kosovë dhe rajon.
Nën udhëheqjen time, UNMIK-u do të mbajë përkushtimin për të mbështetur institucionet dhe popullin e Kosovës në realizimin e një të ardhmeje më paqësore dhe prosperuese përmes promovimit të të drejtave të njeriut, ndërtimit të besimit ndërmjet komuniteteve dhe fuqizimit të agjentëve të ndryshimeve pozitive, duke përfshirë gratë dhe të rinjtë.
UNMIK-u do të mbetet i palëkundur në mbështetje ndaj dialogut të lehtësuar nga BE-ja për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe paqes e pajtimit afatgjatë,” theksoi PSSP Ziadeh.
Në njoftimin për media thuhet se pas shërbimit që nga viti 2017 si drejtoreshë e Departamentit të Organizatave Ndërkombëtare, Konferencave dhe Shërbimeve Kulturore në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Emigrantëve të Libanit, Ziadeh sjell me vete një përvojë gati 30 vjeçare në diplomacinë ndërkombëtare me njohuri të gjerë të Kombeve të Bashkuara ku udhëhoqi delegacionet kombëtare në Kombet e Bashkuara për çështje të ndërlidhura me të drejtat e njeriut, agjendën mbi Gratë, Paqen dhe Sigurinë dhe migrimin.
Në njoftim bëhet e ditur se ajo ishte Zëvendëse e Përfaqësuesit të Përhershëm të Libanit pranë Kombeve të Bashkuara në Nju Jork (2006-2017).
Ziadeh shërbeu në Ambasadat e Libanit në Mbretërinë e Bashkuar (2004-2006), në Belgjikë dhe Bashkim Evropian (1994-1999), si dhe në Misionin e Përhershëm të Libanit në Vjenë dhe Ambasadat në Austri, Kroaci, dhe Sllovaki (1999-2002).
PSSP Ziadeh mban diplomë Bachelor të Arteve dhe Master të Arteve në Ekonomi dhe Shkenca Politike nga Universiteti Libanez, Bejrut, dhe Diploma në Marrëdhëniet Ndërkombëtare nga Universiteti Libre de Bruxelles dhe Akademia Diplomatike e Vjenës. Ajo flet rrjedhshëm arabisht, anglisht dhe frëngjisht. /Telegrafi/