KF Besa ka nisur lëvizjet për fazën e dytë të kampionatit, duke zyrtarizuar transferimin e sulmuesit Shefit Shefiti, njofton Telegrafi.
Futbollisti 26-vjeçar, i cili ka luajtur më parë me skuadra si Shkëndija, Renova, Prishtina dhe KF Arsimi, është përforcimi i parë i klubit pas pauzës së kampionatit.
KF Besa e mbylli gjysmën e parë të sezonit në pozitën e 10-të të tabelës së Ligës së Parë të Maqedonisë, me vetëm 13 pikë të grumbulluara. Klubi nga Dobërdolli po kërkon të përmirësojë performancën dhe të largohet nga zona e rrezikut, ndërsa afrimi i Shefitit shihet si një hap i rëndësishëm në këtë drejtim.
Në njoftimin zyrtar, nga KF Besa kanë shprehur kënaqësinë për afrimin e Shefitit në ekip.
“Me kënaqësi njoftojmë se Shefit Shefiti, sulmuesi i ri, është transferuar në skuadrën tonë! Pas eksperiencave brenda dhe jashtë vendit tonë me skuadra si Shkëndija, Renova, Prishtina dhe së fundmi KF Arsimi, Shefiti sjell një potencial të madh në sulm dhe do të jetë një aset i rëndësishëm për lojën tonë këtë sezon. Ne si klub e mirëpresim dhe i dëshirojmë shëndet dhe suksese!”
Sulmuesi i ri pritet të sjellë energji dhe kreativitet në repartin e sulmit, duke ndihmuar ekipin në realizimin e objektivave. Trajneri dhe stafi drejtues kanë shprehur besimin se Shefiti do të jetë një element kyç në fazën e dytë të sezonit.
Me këtë transferim, Besa konfirmon ambiciet për të luftuar për rezultate më të mira dhe për të rikthyer stabilitetin në skuadër. Pritet që në ditët në vijim klubi të bëjë edhe afrime të tjera për të forcuar ekipin. /Telegrafi/