Telegrafi

Shefi i UNMIK-ut flet për ngjarjet në veri të Kosovës: Nuk u informuam paraprakisht për reciprocitetin e targave

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuar, ku po raportohet për Kosovën, Shefi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Zahir Tanin, gjatë raportimit ka thënë se bashkësia ndërkombëtare nuk është informuar paraprakisht për reciprocitetin e targave me Serbinë nga Kosova.

Gjatë prezantimit të raporti 6 mujor, Zanin deklaroi se duhet të kishte komunikim të hershëm për targat.

“Në mëngjesin e 20 shtatorit Prishtina ka nisur një operacion policor në veri të Kosovës me qëllim të zbatimit të masave të reja të vlefshmërisë së targave. Duke marrë parasysh diskutimet e ndjeshme të kamotshme për lirinë e lëvizjeve të realizuara nga vitet e kaluara përmes dialogut do të ishte natyrshme të pritet një komunikim i hershëm dhe i qartë me ata që preken”, tha Zanin, transmeton Telegrafi.

Ai ka folur edhe për operacioni anti-kontrabandë që në veri u përcoll me protesta e tensione pasi që serbët lokalë kundërshtuan operacionin e Policisë së Kosovës.

“Është diskutabile nëse KFOR-i është njoftuar paraprakisht për dërgimin e njësive speciale. Operacioni provokoi tensione dhe konfrontime që përfunduan me disa të lënduar. Ka pasur edhe kërcënime për jetë të shkaktuara nga të shtënat e policisë. Popullata civile në veri raportoi lëndime nga gazi lotsjellës dhe granatat zhurmuese që i përdori policia. Protestuesit gjuajtën me gurë dhe sipas policisë disa të dyshuar përdorën armë zjarri kundër policisë”, ka thënë Tanin.

Shefi i UNMIK-ut, ka thënë se e sheh tepër optimiste mundësinë që tash të ketë rifillim të “angazhimit real ndaj dialogut”.

Ai tha se zgjedhjet në Kosovë po afrohen dhe tashmë fokusi duhet të jetë tek realizimi i pritjeve të larta të qytetarëve.

“Derisa Kosova po iu afrohet edhe njëherë zgjedhjeve lokale brenda dy ditësh, fokusi në nivelin qëndror dhe lokal tani duhet të orientohet në realizimin e pritjeve të larta të njerëzve për ndryshim”.

“Pse pjesëmarrje kaq e lartë në zgjedhjet e kaluara të përgjithshme, në fakt atë qe populli kërkonte ishte një qeveri më aktive dhe më përgjegjshme e cila qartazi do të përmbushte agjendën e reformave të premtuara gjatë fushatës, përveq kësaj, votuesit duan qartë që institucionet publike të punojnë në favor të mirëqenies së njerëzve, për dallim nga e kaluara, ata duan barazi më të madhe, mundësi më të mira ekonomike, drejtësi dhe llogaridhënie”, u shpreh Tanin.

Ai tha se kryeministri Kurti e ka siguruar për fokusimin e tij në agjendën e reformave të premtuara.

“Kryeministri Kurti i cili në të paktën dy raste ka ndarë me mua prioritetet kryesore të qeverisë së tij, më siguroi për fokusimin e tij në këtë agjendë reformash, duke e quajtur atë prioritet parësor të tij”