Site icon Telegrafi

Shefi i UNMIK-ut kërkon zgjidhje nga Kosova dhe Serbia, për vazhdimin e dialogut

Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin ka raportuar në lidhje me gjendjen në Kosovë, dhe raportet me shtetin serb.

Tanin ka kërkuar nga dy shtetet, që të gjejnë një zgjidhje për vazhdimin e dialogut në Bruksel.

Ai ka thënë se një gjë të tillë po e pengon edhe taksa e vendosur nga Kosova, për të cilën sipas tij, Prishtina ka vendosur disa kushte, transmeton Telegrafi.

“Para kësaj është e rëndësishme të lëvizin nga pozicionet e tanishme dhe të shfaqin gatishmëri për marrëveshje, duke punuar në tejkalimin e pengesave dhe krijimin e kushteve të nevojshme për vazhdimin e dialogut. Prishtina ka vënë kushte për heqjen e taksës. Qasjet progresive janë esenciale për nisjen e negociatave politike. Duhet bërë më shumë për arritjen e marrëveshjes mesa palëve dhe kjo kërkon përkrahje nga një numër i madh i akterëve, duke përfshirë pjesëmarrjen e grave në dialog”, tha Tanin.

Shefi i UNMIK-ut duke folur për krijimin e Ushtrisë së Kosovës, ka thënë se një vendim i tillë ka shkaktuar brengosje te serbët në Kosovë.

Tanin ka theksuar faktin se për këtë vendim, kanë dalur kundër edhe deputetët e Listës Serbe.

Ai ka folur me optimizëm për çështjen e të pagjeturve, por ka theksuar se duhet ende shumë punë për të bërë.

Ndryshe, mbajtja e seancës së Këshillit të Sigurimit mbi Kosovën ishte deri në momentin e fundit në pikëpyetje, pasi disa vende perëndimore e kundërshtuan praktikën e diskutimit të kësaj çështjeje katër herë në vit.

Britania e Madhe kërkoi që Kosova të hiqet përgjithmonë nga rendi i ditës, ndërsa SHBA beson se seancat duhet të mbahen dy herë në vit. /Telegrafi/

Exit mobile version