Site icon Telegrafi

Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë pritet me nderimet më të larta ushtarake në Kosovë

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant, Bashkim Jashari, priti të martën në takim shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH), gjeneral brigade, Arben Kingji, i cili shprehu mirënjohje të lartë për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, për kontributin e  veçantë në zhvillimin dhe avancimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale të FSK-së, veçanërisht në fushën e arsimimit dhe stërvitjes.

Sipas një njoftimi për media, gjeneral Kingji ka shprehur gatishmërinë që bashkëpunimi bilateral mes dy forcave tona të thellohet edhe në fusha të tjera ushtarake, që ndikojnë në ngritjen e kapaciteteve të reja për FSK-në.

Ndërkaq, pas takimit në mes të Gjeneral Jasharit dhe gjeneral Kingjit si dhe dy delegacioneve respektive, gjeneral Kingji u prit në takim të veçantë edhe nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Siç bëhet e ditur në njoftim ministri Mehaj i shprehu gjeneral Kingjit falënderimin dhe mirënjohjen e thellë për Republikën e Shqipërisë për mbështetjen vëllazërore të ofruar në të gjitha periudhat e ndërtimit, zhvillimit si dhe në të gjitha të arriturat e deritashme të vendit, sikur edhe të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.

Gjithashtu, Ministri Mehaj i shprehu mirënjohjen e lartë për rolin dhe kontributin e madh të Republikës së Shqipërisë, si vend anëtar i NATO-s, në sigurinë e përgjithshme të rajonit dhe më gjerë me pjesëmarrjen në operacionet paqeruajtëse, e shumë të rëndësishme edhe pjesëmarrjen e fuqishme në kuadër të KFOR-it në vendin tonë.

Ndër të tjera, Ministri Mehaj ritheksoi edhe rëndësinë shumë të madhe që ka mbështetja e Ministrisë dhe Forcave të Republikës së Shqipërisë, duke pasur parasysh përvojën e madhe në procesin e integrimeve euroatlantike, si dhe në ngritjen dhe zhvillimin e operacionalitetit ushtarak në përgjithësi.

Në kuadër të vizitës, Gjeneral Kingji gjithashtu ka vizituar edhe Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së, ku është njoftuar me të arriturat e deritashme, sfidat dhe aktivitetet e planifikuara të FSK-së për të ardhmen. /Telegrafi/

Exit mobile version