Shefi Ekzekutiv i Pfizer, Albert Bourla, tha të shtunën se një vaksinë vjetore për COVID-19 do të ishte e preferueshme sesa vaksinat më të shpeshta përforcuese në luftën kundër pandemisë së coronavirusit.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, vaksina kundër COVID-19 e Pfizer/BioNtech ka treguar të jetë efektive kundër sëmundjeve të rënda dhe vdekjeve të shkaktuara nga varianti Omicron me mutacion të madh, por më pak efektive në parandalimin e transmetimit.
Me rritjen e rasteve, disa vende kanë zgjeruar programet përforcuese të vaksinës COVID-19 ose kanë shkurtuar hendekun midis injektimeve ndërsa qeveritë përpiqen të forcojnë mbrojtjen.
Në një intervistë me N12 News të Izraelit, Bourla u pyet nëse ai sheh vaksina përforcuese duke u administruar çdo katër deri në pesë muaj në baza të rregullta.
“Ky nuk do të jetë një skenar i mirë. Ajo që unë shpresoj (është) që ne do të kemi një vaksinë që do të duhet ta bëni një herë në vit”, citohet të ketë thënë Bourla.
“Një herë në vit – është më e lehtë të bindësh njerëzit që ta bëjnë këtë. Është më e lehtë për njerëzit të mbajnë në mend se kur”.
“Pra, nga perspektiva e shëndetit publik, është një situatë ideale. Ne po kërkojmë të shohim nëse mund të krijojmë një vaksinë që mbulon Omicron dhe nuk ‘harron’ variantet e tjera dhe kjo mund të jetë një zgjidhje”, tha Bourla.
Bourla ka thënë se Pfizer mund të jetë gati të paraqesë për miratim për një vaksinë të ridizajnuar për të luftuar Omicron dhe ta prodhojë atë në masë, që në mars.
Duke cituar tre studime, Qendrat e SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) thanë të Premten se një dozë e tretë e një vaksine mRNA është çelësi për të luftuar Omicron, duke siguruar 90% mbrojtje kundër shtrimit në spital. /Telegrafi/