Site icon Telegrafi

Shefi i Pentagonit akuza Putinit: Sjellje të këqija

Shefi i Pentagonit, James Mattis, akuzoi presidentin rus, Vladimir Putin, për “sjellje të këqija” në arenën ndërkombëtare dhe tha se angazhimi i Amerikës ndaj NATO-s mbetet i palëkundur.

Mattis i bëri këto komente në Gjermani gjatë një aktiviteti me rastin e 70-vjetorit të Planit Mareshal. Duke folur për studentët në Gjermani në përkujtim të Planit Mareshal për rindërtimin e Evropës së pas Luftës së Dytë Botërore, Sekretari amerikan i Mbrojtjes tha se Rusia ka zgjedhur të sfidojë rendin e “sigurisë dhe të paqes”. Duke iu referuar konfliktit në Ukrainë dhe ndërhyrjes së Moskës në procesin zgjedhor amerikan ai u shpreh:

“Me sjelljet e këqija përtej kufijve të Rusisë, udhëheqësi rus nuk synon të përmirësojë fatet e këtyre njerëzve apo të rindezë shpresën e tyre”, shprehet James Mattis, shef i pentagonit.

Vizita e zotit Mattis në Gjermani është e katërta në Evropë qëkur ai u bë sekretar i mbrojtjes në muajin janar. Partnerët e shqetësuar evropianë i kanë drejtuar sytë tek ai për mesazhe lidhur me synimet ndërkombëtare të Amerikës pas pikëpyetjeve të ngritura nga Presidenti Donald Trump rreth aleancave të vjetra.

Por sekretari i Mbrojtjes theksoi se Shtetet e Bashkuara dhe Presidenti Trump duhet të gjykohen nga veprimet e tyre.

Mattis vuri në dukje vazhdimin e mbështetjes amerikane për praninë e avancuar të NATO-s në Evropën Lindore deri në vitin 2020, për t’iu kundërvënë Rusisë. Në po të njëjtën dite Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se vendet aleate, duke përjashtuar SHBA, do të rrisin shpenzimet e mbrojtjes me 4.3 përqind për këtë vit.

Stoltenberg foli përpara gazetarëve në Bruksel, në prag të një takimi të ministrave të mbrojtjes të NATO-s. Komentet vijnë në klimën e trysnive të ushtruara nga presidenti Donald Trump që aleatët të shpenzojnë më shumë për Aleancën.

Exit mobile version