Telegrafi

Shefi i NATO-s: Masa e fundit ndaj Rusisë, pasojë e veprimeve dashakeqe

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se dëbimi i tetë diplomatëve rusë të akredituar në NATO ka ardhur si përgjigje ndaj rritjes së “aktiviteteve dashakeqe” të Moskës.

Më herët Kremlini paralajmëroi se ky vendimi i zbeh puthuajse plotësisht shpresat për përmirësimin e marrëdhënieve.

Më 6 tetor NATO-ja njoftoi se zyrtarët rusë do të ndalohen nga qasja në selinë e organizatës në Bruksel duke filluar nga fundi i muajit.

Sipas NATO-s, këta zyrtarë rusë, ishin anëtarë të padeklaruar të shërbimeve të inteligjencës ruse.

Aleanca gjithashtu mori vendim të përgjysmojë numrin e personelit rusë që mund të akreditohet nga 20 në 10.

Lexo po ashtu NATO dëbon tetë rusë nga misioni i saj, punuan fshehurazi si spiunë

“Prej kohësh kemi parë një rritje të aktivitetit dashakeqës rus dhe kjo është arsyeja që duhet të jemi vigjilent. Vendimi nuk ndërlidhet me ndonjë ngjarje të veçantë”, u tha Stoltenberg gazetarëve në Bruksel.

Shefi i NATO-s përmendi nivelin e ulët të raporteve mes aleancës dhe Rusisë, duke potencuar “veprimet agresive” të Rusisë kundër Ukrainës dhe “rritjen e kapaciteteve ushtarake” si dhe shkeljen e marrëveshjeve për kontrollin e armëve.

Qëkur Rusia e aneksoi rajonin e Krimesë në Ukrainë më 2014 kontaktet e NATO-s me Moskën kanë qenë të kufizuara. Lufta mes separatistëve pro-rus dhe forcave ukrainase po vazhdon sot e kësaj dite.

Aleanca ushtarake perëndimore është gjithashtu e shqetësuar me aktivitetet bërthamore të Rusisë si dhe ndërhyrjet në hapësirën ajrore të NATO-s. /rel/