Telegrafi

Shefi i marinës gjermane jep dorëheqje pas komenteve që bëri për Putinin

Gjermania u përball me një incident diplomatik të shtunën pas komenteve të bëra nga shefi i Marinës, Kay-Achim Schönbach për presidentin rus, Vladimir Putin dhe krizën në Ukrainë. Schönbach dha dorëheqje nga posti i tij vonë të shtunën, transmeton Telegrafi.

“Kam kërkuar nga ministrja e Mbrojtjes Christine Lambrecht që të më shkarkojë nga detyrat e mia me efekt të menjëhershëm”, tha zëvendësadmirali Kay-Achim Schoenbach në një deklaratë të cituar nga agjencia e lajmeve Reuters.

“Ministrja e ka pranuar kërkesën time”, shtoi ai.

Schönbach i bëri komentet gjatë një fjalimi që mbajti në një vizitë në Indi. Duke folur në Institutin për Studime dhe Analiza të Mbrojtjes Manohar Parrikar, zëvendësadmirali gjerman tha se Putini “ndoshta” meritonte respekt.

“Ajo që ai me të vërtetë dëshiron është respekti”, tha zëvendësadmirali, duke folur në anglisht në komentet që u postuan në një video në YouTube.

“Dhe, Zoti im, t’i japësh dikujt respekt është me kosto të ulët, madje pa kosto… Është e lehtë t’i japësh atij respektin që ai me të vërtetë kërkon — dhe ndoshta edhe e meriton”, tha Schönbach, duke e quajtur Rusinë një vend të vjetër dhe të rëndësishëm.

Schönbach tha se veprimet e Rusisë në Ukrainë duhet të adresohen, por shtoi se “gadishulli i Krimesë është zhdukur: Nuk do të kthehet kurrë – ky është një fakt”. /Telegrafi/