Site icon Telegrafi

Shefi i Kombeve të Bashkuara: Ndryshimi i klimës pranë ‘pikës që nuk ka kthim prapa’

Kreu i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres përpara samitit të klimës COP25, tha se po i afrohemi me shpejtësi “pikës që nuk ka kthim prapa”.

“Ne jemi ballafaquar me një krizë globale klimatike dhe pika e kthimit nuk është më në horizont”, tha Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, në prag të samitit të klimës në Madrid, transmeton Telegrafi.

“Lufta jonë kundër natyrës duhet të ndalet dhe ne e dimë se është e mundur”, tha ai të dielën. “Ne thjesht duhet të ndalojmë gërmimet dhe shpimet dhe të përfitojmë nga mundësitë e mëdha të ofruara nga energjia e rinovueshme dhe zgjidhjet me bazë natyrore”.

Në të gjithë globin, modelet katastrofike të motit – nga përmbytjet në zjarre, deri në thatësira ekstreme dhe stuhitë e dendura të dëborës – po shkatërrojnë si jetën njerëzore ashtu edhe atë të kafshëve.

Në samitin e vitit të kaluar për klimën e KB në Katowice, Poloni, vendet anëtare hartuan një kornizë për monitorimin e uljeve të emetimeve dhe bënë plane për shkurtime të mëtejshme në të ardhmen. Sidoqoftë, ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje.

Të dielën, Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli, gjithashtu foli për nevojën “për t’i kthyer premtimet e muajve të fundit në rezultate që përmirësojnë jetën e njerëzve”.

“Nga lufta kundër ndryshimit të klimës deri në trajtimin e rritjes së kostos së jetës, evropianët dëshirojnë të shohin veprim të vërtetë”, tha Sassoli. /Telegrafi/

Exit mobile version