Telegrafi

Shefi gjerman kundër dëbimit ë shqiptarit: “Atë e kam punëtorin më të mirë”

Xhezo Ajazaj, shqiptari 31-vjeçar i ardhur në Gjermani tri vite më parë si refugjat, i shtron me pllaka tri banjo brenda një orari pune. “Ai është punëtori ynë më i mirë”, thotë shefi i tij i punës, Martin Habeland, shkruan bild.de.

Ajazaj, së bashku me të shoqen Artiolën dhe tri vajzat e vogla duhet të kthehet nga ka ardhur, në Shqipëri, transmeton Albinfo.ch.

“Ne në vend punishte nuk arrijmë assesi të kuptojmë. Xhezo është një koleg i jashtëzakonshëm, gjithmonë i zellshëm dhe i përpiktë. Përse vallë të dëbohet pikërisht ai dhe jo ata të huaj që janë ndeshur me ligjin”, thotë Habeland.

Xhezo ka një punë të rregullt, Artiola planifikon të ndjekë një kualifikim profesional, ndërsa fëmijët vijojnë shkollën ose kopshtin. Por, gjermanishten e flasin mirë. Ndonëse integrimi është plotësisht i suksesshëm, megjithatë është vendosur për dëbimin e tyre.