Sam Bankman-Fried, themeluesi i firmës së dështuar të kriptovalutave FTX, është akuzuar për ryshfet të paktën të një zyrtari kinez.
Në akuzat e reja të zbuluara në SHBA, zyrtarët akuzojnë sipërmarrësin për autorizimin e një ryshfeti prej “të paktën 40 milionë dollarësh” për të tentuar të fitojë qasje në llogaritë tregtare të ngrira nga autoritetet kineze, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Akuzat i shtohen rastit të mashtrimit të paraqitur vitin e kaluar pas kolapsit të FTX.
Bankman-Fried u deklarua i pafajshëm për këto pretendime në fillim të këtij viti.
Ai aktualisht është nën arrest shtëpiak në shtëpinë e prindërve të tij në Kaliforni, ndërsa pret gjykimin.
Aktakuza e përditësuar thotë se Bankman-Fried autorizoi ryshfetin pasi autoritetet kineze ngrinë llogaritë që mbanin kriptovaluta me vlerë rreth 1 miliard dollarë që i përkiste firmës së tij tregtare, Alameda Research.
Llogaritë u liruan pas transferit, i cili shkoi në një portofol privat të kriptovalutave, sipas dosjes.
Incidenti ndodhi para kolapsit dramatik të FTX vitin e kaluar, kur raportet për financat e kompanisë çuan në një nxitim të tërheqjeve, duke e shtyrë firmën drejt falimentimit.
Në vazhdën e kolapsit, i cili la shumë njerëz në pamundësi për të pasur qasje në fondet e tyre, SHBA ngriti padi penale kundër Bankman-Fried, duke e akuzuar atë për përdorimin e pahijshëm të depozitave të klientëve në FTX për të financuar firmën e tij tjetër, Alameda Research, për të blerë prona dhe për të bërë miliona donacione politike.
Episodi hodhi një re të errët mbi industrinë e kriptovalutave, e cila veçse po vuante nga rëniet e mëdha të vlerave të Bitcoin dhe aktiveve të tjera.
Kjo ishte gjithashtu një rënie e mprehtë për Bankman-Fried, i cili kishte qenë një nga figurat më të profilit të lartë në sektor, duke udhëhequr një “shkëmbimore” që kishte më shumë se 1 milion përdorues dhe renditej si platforma e tretë më e madhe tregtare në botë.
Bankman-Fried ka pranuar gabimet në menaxhim, por ka mohuar mashtrimin ndërsa tre nga kolegët e tij më të afërt e kanë pranuar fajin dhe po bashkëpunojnë me hetuesit.
Ai përballet me më shumë se 100 vjet burg nëse shpallet fajtor. /Telegrafi/