Telegrafi

Shefi i FC Zurich tregon pse nuk u largua Armando Sadiku

Pavarësisht interesimit të shumë klubeve evropiane, Armando Sadiku vendosi të qëndronte te FC Zurich që këtë sezon luan në Challenge League, kategorinë e dytë zvicerane.

Që pas rikthimit te skuadra që zotëron kartonin e tij, sulmuesi shqiptar e ka nisur në mënyrën më të mirë aventurë të dytë me Cyrihun duke realizuar katër gola në shtatë ndeshjet e para të kampionatit.

Gjatë verës u fol shumë se presidenti i klubit zviceran, Ancillo Canepa, për ta lënë të lirë bomberin e kombëtares shqiptare, kërkonte plot nëntë milionë euro, por ky i fundit në një intervistë për gazetën zvicerane Blick ka zbuluar çdo të vërtetë në lidhje me Sadikun duke mohuar aludimet e mediave.

“Ne nuk dëshironim që Sadiku të largohej. Ka pasur interesim nga klube të tjera për të, por jo oferta konkrete”.

“Cyrihu ka kërkuar nëntë milionë euro për kartonin e Sadikut? Mesa di unë një shifër e tillë nga ana e klubit tonë nuk është përmendur asnjëherë”, ka deklaruar kreu i FC Zurich.

Ai më tej vlerësoi Sadikun duke e cilësuar 25-vjeçarin një profesionist të vërtetë. Galatasaray, Rizespori dhe Sampdoria ishin disa nga klubet që u interesuan për Armando Sadikun, i cili përveç se në kategorinë e dytë zvicerane këtë sezon do të luajë edhe në fazën e grupeve të Europa League.