Site icon Telegrafi

Shefi i EULEX-it mirëpret vazhdimin e mandatit: Mbetemi të përkushtuar për drejtësi

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian Josep Borrell, janë pajtuar për zgjatje teknike njëvjeçare të mandatit të misionit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX),  e shefi i EULEX në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark, ka mirëpritur vazhdimin e mandatit të këtij misioni.

“Mirëpres shkëmbimin e letrave në mes të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Shefit të Diplomacisë Evropiane, Josep Borrell përmes së cilave është arritur pajtueshmëria për shtyrjen e mandati edhe për një vit të Misionit të EULEX në Kosovë gjatë Covid-19”, ka shkruar ai.

“Mbetemi plotësisht të përkushtuar në partneritetin tonë për drejtësi me të gjitha palët në Kosovë në këtë kohë kritike”, ka tshkruar Wigemark.

Mandati i EULEX-it është negociuar çdo dy vjet dhe gradualisht është zvogëluar mandati dhe janë bartur kompetencat tek organet vendore.

Bazuar në vlerësimet e organizatave joqeveritare në Kosovë, misioni i BE-së nuk i ka përmbushur pritjet, sidomos në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

EULEX Kosova ka filluar në vitin 2008 si misioni civil më i madh në kuadër të Politikës së Përbashkët të Bashkimit Evropian për Siguri dhe Mbrojtje.

Misioni i tashëm i EULEX-it është t’i asistojë autoritetet e Kosovës në ngritjen e institucioneve të qëndrueshme dhe të pavarura të sundimit të ligjit.

Misioni vazhdon t’i mbështesë Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë në përputhje me legjislacionin përkatës të Kosovës.

Exit mobile version