Site icon Telegrafi

Shefi i diplomacisë spanjolle Albarez nesër për vizitë në Shkup

Ministri i Punëve të Jashtme, BE dhe Bashkëpunim i Mbretërisë së Spanjës, Hose Manuel Albarez Bueno, nesër do të qëndrojë për vizitë pune njëditore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, njoftoi MPJ e Maqedonisë së Veriut.

Përveç takimit me nikoqirin e tij, ministri Osmani, ministri Albarez do të takohet edhe me zëvendëskryeministrin për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq.

Krahas marrëdhënieve bilaterale midis dy vendeve, në fokus të bisedimeve pritet të jetë përshpejtimi i procesit të anëtarësimit tonë në Bashkimin Evropian, në dritën e presidencës së ardhshme të Spanjës me Këshillin e BE-së në gjysmën e dytë të vitit. Në këtë drejtim është planifikuar nënshkrimi i Memorandumit dypalësh të Mirëkuptimit për Zhvillimin e Bashkëpunimit në Procesin e Anëtarësimit në BE.

Në takim do të trajtohen edhe mundësitë e thellimit të marrëdhënieve ekonomike, si dhe bashkëpunimi sektorial në segmente të tjera të jetës shoqërore.

Vizita e Albarez në Maqedoninë e Veriut është pjesë e turneut të tij ballkanik. Ai dje ishte në Beograd, sot është në Sarajevë, ndërsa para Shkupit do ta vizitojë edhe Tiranën.

MPJ spanjolle njoftoi se Albares vjen në Ballkan që ta transmetojë interesin e ripërtërirë në Madrid për vendet e rajonit dhe ta paralajmërojë se Spanja, pasi që ta marrë kryesimin me BE-në më 1 korrik, do t’i mbështesë përpjekjet e tyre që t’i bashkëngjiten Unionit.

Exit mobile version