Drejtori i CIA-s ka paralajmëruar presidentin e zgjedhur amerikan Donald Trump, që dhënia fund e marrëveshjes bërthamore të Iranit do të ishte “katastrofike” dhe “kulmi i marrëzisë”.
Në një intervistë për BBC, John Brennan gjithashtu këshilloi presidentin e ri të jetë i kujdesshëm ndaj premtimeve të Rusisë, duke fajësuar Moskën për shumë nga vuajtjet në Siri.
Në fushatën e tij, Trump ka kërcënuar se do të tërheqë marrëveshjen me Iranin dhe gjithashtu la të kuptohet se do të punojë më ngushtë me Rusinë.
Brennan do të largohet në janar pas katër vitesh në krye të CIA-s.
Në intervistën e parë të një drejtori të CIA-s për mediat britanike, John Brennan foli për një numër fushash ku tha se administrata e re e ka të nevojshme për të vepruar me “maturi dhe disiplinë” – duke përfshirë gjuhën e përdorur në lidhje me terrorizmin, marrëdhëniet me Rusinë si dhe Marrëveshjen me Iranin, transmeton KosovaPress.