Site icon Telegrafi

Shefi i AUV-it thotë se mishi në tregjet e Kosovës është i sigurt

Shefi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës (AUV), Valdet Gjinovci ka siguruar qytetarët se mishi në Kosovë është i sigurt dhe agjencia që ai e udhëheqë bën kontrolle sistematike për të parandaluar produkte pa afat në treg.

Gjinovci ka thënë se skandalin me mishin nga Belgjika e kanë zbuluar vetë inspektorët e AUV-it.

“40 ton mish janë asgjësuar dhe se ai mish nuk ka qenë në tregjet apo marketet e Kosovës për asnjë sekond”, ka thënë Gjinovci, për RTK.

Gjinovci ka paralajmëruar të gjithë ata që merren me industrinë e mishit, por edhe me produkte të tjera ushqimore, që të mos ndihen të qetë nëse tentojnë të bëjnë gjëra të pandërgjegjshme, sepse nuk do të lihen rehat nga AUV-i dhe prokuroria.

Shefi i AUV-it, foli edhe për konfiskimin e mishit nga inspektorët komunal të Mitrovicës, duke e vlerësuar punën e tyre, por ai kërkoi që të gjithë inspektorët të jenë nën ombrellën e AUV-it.

Gjinovci dha edhe një lajm për fermerët, të cilët i siguroi se këtë vit nuk do të ketë asnjë mungesë të vaksinave për gjedhet, të cilat vitin e kaluar ishin prekur nga sëmundja gungore e lëkurës.

Ai tha se janë siguruar të gjitha vaksinat, dhe bëri thirrje për bashkëpunim me fermerët.

Exit mobile version