Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi se i propozoi presidentit të sapozgjedhur amerikan, Joseph Biden të vinte në samitin e Aleancës në Bruksel.
“Unë e ftova Bidenin të marrë pjesë në samitin e NATO-s në fillim të vitit të ardhshëm për të diskutuar tema të rëndësishme dhe për të marrë vendime, duke përfshirë qëndrimin ose tërheqjen e forcave të Aleancës në Afganistan”, tha Stoltenberg para gazetarëve, duke shtuar se një datë për samitin ende nuk është caktuar.
Presidenti amerikan në largim, Donald Trump ka vendosur të zvogëlojë kontigjentin amerikan si pjesë e misionit të NATO-s në Afganistan. Tani ekzistojnë 11 mijë trupa të Aleancës, gjysma e të cilëve janë jo-amerikanë, raporton ap.
“Misioni do të vazhdojë pavarësisht tërheqjes së forcave amerikane dhe zvogëlimit të pranisë amerikane në Afganistan. Vendime të ashpra do të duhet të merren në 2021 nëse Talibanët nuk respektojnë detyrimet e tyre”, tha Stoltenberg.
Sipas tij, Biden është “një mbështetës i madh i NATO-s që e njeh mirë organizatën”. “Është një gjë e mirë për ne”, tha Stoltenberg, duke aluduar në vështirësitë që NATO hasi gjatë administratës Trump. /Telegrafi/