Shefat Isufi kishte një qëllim të shtunën mbrëma – të shpallej kampion i WBO-së në kategorinë super të mesme. Që të ndodhte kjo, ai duhej ta mposhte britanikun Billy Joe Saunders.
Boksieri shqiptar që e përfaqëson Gjermaninë ishte shumë pranë t’ia arrinte qëllimit në raundin e gjashtë, por edhe pse ishte shumë afër ta nokautonte kundërshtarin, anglezi ia doli të mbahej disi dhe në fund fitoi me pikë.
Siç transmeton BozingScene, para meçit, Isufi kishte thënë se donte të bëhej shqiptari i parë që e fitonte këtë titull bote, si edhe dëshironte ta nderonte babanë e ndjerë.
“E bëj këtë në radhë të parë për veten, sepse duhet të fitoj. Por, do të jetë nder që të të bëhem shqiptari i parë që fiton një titull bote. Njëherësh, do të jetë një arritje e madhe për vendim tim (të adoptuar) Gjermaninë që aktualisht është pa një kampion bote”, kishte thënë boksieri i lindur në Tërnoc para duelit.
Babai i tij, Nasufi, ishte një prej mbështetësve më të mëdhenj të Shefatit kur e nisi boksin në moshën 10 vjeçare. Ai ndërroi jetë kur boksieri ishte shumë i ri dhe nuk arriti që t’i shihte sukseset e njëpasnjëshme të djalit të tij, i cili numëron 27 fitore (20 me nokaut), dy barazime dhe katër humbje.
“Babai im vdiq kur isha i ri. Ai është gjithmonë në mendjen time dhe gjithmonë më ka drejtuar nga lart… Kur të fitoj, do ta vizitoj varrin e babait tim që më ka nxitur dhe më ka mbështetur për të gjitha ëndrrat e mia. Është pikëlluese që nuk do të jetë këtu të më shohë duke e fituar titullin, por do të jem i nderuar që do të mund t’ia prezantoj”, pati deklaruar Isufi në konferencën për shtyp.
Ai nuk ia doli kësaj radhe të shpallej kampion botë, mirëpo është 29-vjeçar dhe ka edhe shumë vite karrierë për të shpresuar që ta mbajë premtimin e tij. /Telegrafi/