Shoqata e Bankave të Kosovës (SHBK) ka reaguar lidhur me grabitjen e armatosur që ndodhi sot në një bankë në Shtime.
SHBK përmes një reagimi për media ka thënë se e dënon fuqishëm aktin e sotëm të grabitjes me armë zjarri në një bankë në Shtime, me ç’rast kërkon nga organet e rendit që sa më parë t’i sjellin para drejtësisë kryesit e këtij akti të shëmtuar kriminal, të cilët nën kërcënimin e armës, rrezikuan sigurinë e punëtorëve, qytetarëve dhe pjesëtarëve të policisë.
“Grupet e tilla kriminale, të cilat synojnë të dëmtojnë bizneset e Kosovës, e në veçanti bankat e që rrezikojnë mirëqenien e qytetarëve dhe dëmtojnë rëndë imazhin e Kosovës, duhet të identifikohen sa më parë dhe të njëjtit të marrin dënimin e merituar. Shoqata e Bankave të Kosovës, me qëllim të ngritjes së sigurisë në sektorin bankar, në muajin Shkurt të këtij viti, ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Ministrin e Punëve të Brendshme, Policinë e Kosovës dhe Bankën Qendrore të Kosovës, me qëllim avancimin e bashkëpunimit për ngritjen e nivelit të sigurisë në sektorin bankar në mënyrë që bankat, personeli i tyre dhe qytetarët të kenë një ambient sa më të sigurt për zhvillimin e aktivitetit të tyre”, thuhet në reagim. /Telegrafi/