Site icon Telegrafi

SHBA i vendos sanksione Iranit për sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë

Zyra e Departamentit të Thesarit të SHBA-së për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) ka caktuar sot Ministrinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Iranit (MOIS) dhe ministrin e tij të Inteligjencës si përgjegjës për përfshirje në aktivitete kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj, sipas një deklarate të Departamentit Amerikan të Thesarit.

Të paktën që nga viti 2007, MOIS dhe përfaqësuesit e tij të aktorëve kibernetikë kanë kryer operacione keqdashëse kibernetike duke shënjestruar një sërë organizatash qeveritare dhe sektorin privat në mbarë botën dhe sektorë të ndryshëm të infrastrukturës kritike.

Në korrik 2022, aktorët e kërcënimeve kibernetike që vlerësohen të sponsorizohen nga qeveria e Iranit dhe MOIS ndërprenë sistemet kompjuterike të qeverisë shqiptare, duke e detyruar qeverinë të pezullonte shërbimet publike online për qytetarët e saj.

“Sulmi kibernetik i Iranit kundër Shqipërisë shpërfill normat e sjelljes së përgjegjshme të shtetit në kohë paqeje në hapësirën kibernetike, e cila përfshin normën për përmbajtje nga dëmtimi i infrastrukturës kritike që ofron shërbime për publikun”, tha nënsekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare, Brian E. Nelson.

“Ne nuk do të tolerojmë aktivitetet kibernetike gjithnjë e më agresive të Iranit që synojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës ose aleatët dhe partnerët tanë”, shtoi ai.

Veprimi i sotëm po ndërmerret në zbatim të Urdhrit Ekzekutiv (E.O.) 13694, i ndryshuar, i cili synon ata që përfshihen në aktivitete kibernetike keqdashëse. MOIS ishte caktuar më herët në përputhje me Urdhrat Ekzekutivë 13224, 13472 dhe 13553 si përgjegjës për mbështetjen ndaj grupeve të shumta terroriste dhe bashkëpunëtor në kryerjen e shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut kundër popullit iranian.

MOIS, nën udhëheqjen e Esmail Khatib, drejton disa rrjete të aktorëve të kërcënimit kibernetik të përfshirë në spiunazh kibernetik dhe sulme ransomware në mbështetje të qëllimeve politike të Iranit. Përveç kryerjes së aktivitetit kibernetik keqdashës që prekte faqet e internetit të qeverisë shqiptare, aktorët kibernetikë të MOIS ishin gjithashtu përgjegjës për zbulimin e dokumenteve që supozohej se ishin të qeverisë shqiptare dhe informacioneve personale të banorëve shqiptarë.

Në fillim të këtij viti, Shtetet e Bashkuara të Amerikës identifikuan një grup aktorësh të avancuar të kërcënimit të vazhdueshëm (APT), të njohur si MuddyWater, si një element vartës brenda MOIS që ka kryer fushata të gjera kibernetike në mbështetje të objektivave të organizatës që në 2018.

Aktorët e MuddyWater janë të njohur për shfrytëzimin e skripteve të raportuara publikisht për të fituar akses në të dhënat e ndjeshme në sistemet e viktimave, për të vendosur ransomware dhe për të ndërprerë operacionet e organizatave private. Kohët e fundit në nëntor 2021, MuddyWater u vlerësua se ishte i përfshirë në një fushatë kibernetike që synonte entitetet e qeverisë turke dhe dërgonte dokumente që përmbajnë malware me gjasë përmes e-maileve për të fituar akses në sistemet e viktimave. /ATSH/

Exit mobile version