Site icon Telegrafi

SHBA i vendos në “listën e zezë” Katica Janevën dhe Stevçe Jakimovskin

Departamenti Amerikan i Shtetit ka futur sot në listën e zezë Stevço Jakimovskin, kryetar i Komunës së Karposhit dhe kandidat për president në RMV, si dhe Katica Janeva, ish-prokuroren publike speciale.

Në vlerësimin e Shteteve të Bashkuara, veprimet e tyre kanë minuar sundimin e ligjit dhe besimin e publikut në institucionet demokratike dhe proceset publike të qeverive të tyre.

“Në cilësinë e saj zyrtare si ish-kryeprokurore speciale në Maqedoninë e Veriut, Janeva ishte e përfshirë në praktika korruptive, duke përfshirë përdorimin e ndikimit të saj politik dhe pushtetit zyrtar për përfitime personale. Ka informacione të besueshme se Janeva ka kërkuar dhe marrë ryshfet për të ndikuar në prokurorinë nën juridiksionin e saj”.

“Në cilësinë e tij zyrtare si kryetar i komunës së Karposhit, Maqedonia e Veriut, Jakimovski u angazhua në praktika korruptive, duke përfshirë përdorimin e pozitës së tij zyrtare për të ndërhyrë në zhvillimin urban dhe proceset e prokurimit për të përfituar veten dhe bashkëpunëtorët e tij”.

“Këto emërime konfirmojnë angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të mbështetur sundimin e ligjit dhe për të forcuar institucionet demokratike në të gjithë Ballkanin. Departamenti do të vazhdojë të përdorë të gjitha fuqitë e disponueshme për të promovuar llogaridhënien për aktorët e korruptuar në rajon dhe globalisht”, thuhet në njoftimin e Departamentit Amerikan të Shtetit./Telegrafi/

Exit mobile version