Zëvendësambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Michele Sison, u bëri thirrjeve shteteve anëtare të OKB-së që nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë këtë.
Ajo në seancën e sotme të KS të KB-ve, tha se udhëheqësit në Beograd dhe Prishtinë duhet të revitalizojnë bisedimet dhe të zbatohen marrëveshjet e dialogut, duke punuar në mënyrë aktive.
“Kufomat në Reçak janë dëshmi e masakrës dhe dhunës që ka ndodhur atje”, ka thënë diplomatja amerikane, duke iu kundërvënë ministres serbe Nela Kuburoviq rreth akuzave për rolin e ish-diplomatit William Walker derisa ishte shef i misionit të OSBE-së në Kosovë.
Për më tepër, diplomatja amerikane ka përsëritur se kufijtë e vendeve të Ballkanit janë të definuar, derisa ka inkurajuar vendet që nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë tash një gjë të tillë.
“U bëjmë thirrje liderëve nga rajoni që t’i shmangen deklaratave ndezëse dhe të fokusohen në gjëra, të cilat u sjellin vendeve të tyre përparim”, ka thënë Sison.
Sison ka thënë se KS i KB-ve duhet ta shtyjë raportin për Kosovën nga tre në gjashtë muaj, ndërsa ka kritikuar kërkesën e UNMIK-ut që buxheti për vitin e ardhshëm të rritet për dy milionë dollarë, transmeton KosovaPress.
“Washingtoni mbështet reduktimin e UNMIK-ut në dritën e përparimit që ka arritur Kosova”, ka thënë Sison.