Telegrafi

SHBA u bën thirrje qytetarëve të saj në Liban: Largohuni menjëherë me çdo biletë ‘të disponueshme’

Ambasada amerikane në Bejrut u ka kërkuar qytetarëve të saj që të largohen nga Libani me “çdo biletë të disponueshme”, mes tensioneve në rritje në Lindjen e Mesme.

Paralajmërimi pason një tjetër të ngjashëm nga Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, i cili tha se situata rajonale “mund të përkeqësohet me shpejtësi”.

Kjo pasi Irani është zotuar për një hakmarrje “të ashpër” kundër Izraelit, të cilin e fajëson për vdekjen e shefit të Hamasit, Ismail Haniyeh, në Tehera.

Vrasja e tij erdhi disa orë pasi Izraeli vrau komandantin e Hezbollahut, Fuad Shukr, në Bejrut.

Dyshohet se Hezbollahu me bazë në Liban, një grup i mbështetur nga Irani, mund të luajë një rol të rëndë në çdo hakmarrje të tillë, e cila nga ana tjetër mund të shkaktojë një përgjigje serioze izraelite.

Ambasada amerikane deklaroi se ata që zgjedhin të qëndrojnë në Liban duhet të “përgatisin plane emergjence” dhe të jenë të përgatitur të “strehohen në vend për një periudhë të gjatë kohore”.

Bëhet e ditur se disa linja ajrore kanë pezulluar dhe anuluar fluturimet, por “opsionet e transportit komercial për t’u larguar nga Libani mbeten të disponueshme”.

Pentagoni tha se do të dërgojë anije luftarake dhe aeroplanë luftarakë shtesë në rajon për të ndihmuar në mbrojtjen e Izraelit nga sulmet e mundshme nga Irani dhe përfaqësuesit e tij.

Ndryshe, në prill, Irani nisi një sulm ajror ndaj Izraelit duke përdorur 170 dronë, 30 raketa lundrimi dhe të paktën 110 raketa balistike, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.

Kjo ishte si hakmarrje për bombardimin izraelit të një konsullate iraniane në Damask, Siri.

Shumë kanë frikë se hakmarrja e Iranit me këtë rast mund të marrë një formë të ngjashme.

Në një telefonatë me shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, Ministri i Jashtëm në detyrë i Iranit, Ali Baqeri Kani, tha se Irani “pa dyshim do të përdorë të drejtën e tij legjitime” për të “ndëshkuar” Izraelin.

Ndërkohë, një folës në televizionin shtetëror të Iranit paralajmëroi se “bota do të dëshmojë skena të jashtëzakonshme”.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka paralajmëruar izraelitët se “ditë sfiduese janë përpara”, me kërcënime nga të gjitha anët.

Ministrat izraelitë u dërguan në shtëpi këtë fundjavë me telefona satelitorë në rast të një sulmi në infrastrukturën e komunikimit të vendit. /Telegrafi/