Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bënë thirrje të hënën Turqisë që të respektojë mendimin e opozitës dhe lirinë e shprehjes, pasi në referendumin në këtë shtet fitoi opsioni për reforma kushtetuese, me të cilat zgjerohen kompetencat e presidentit Recep Tayyip Erdogan.
Siç thuhet në kumtesën e ushtruesit të detyrës së Departamentit të Shtetit, Mark Toner, Uashingtoni nuk konteston rrjedhën e referendumit, por ka vërejtur se vëzhguesit e OSBE-së kanë shfaqur brengën dhe i bëri thirrje Qeverisë turke që të respektojë të drejtat e të gjithë qytetarëve të saj, pavarësisht asaj se si kanë votuar, transmeton AP.
Toner tha se ka pasur parregullsi në ditën e votimeve dhe gjatë kampanjës, të cilat kundërshtarët e reformave kushtetuese i kanë vendosur në pozitë të pa balancuar, thekson AP.
Ai ka theksuar se “demokracitë forcohen përmes respektimit të pikave të ndryshmeve të këndvështrimit, sidomos për çështje të vështira”.
“SHBA-të vazhdojnë të mbështesin zhvillimin demokratik turk, në të cilin përkushtimi i sundimit të ligjit dhe lirisë së mediave, edhe më tej është prej rëndësisë thelbësore”, ka porositur Toner.
Ndryshe, OSBE ka kritikuar vendimin e Komisionit Zgjedhor të Turqisë që të pranojë listat e votuesve pa vulë, duke vlerësuar se kjo dëmton përpjekjet në luftën kundër mashtrimeve.
Dy partitë më të mëdha opozitare kanë paralajmëruar se do të kontestojnë rezultatin e referendumit. /Telegrafi/