Telegrafi

SHBA: Trump dëshiron avancimin e arsenalit atomik

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, thotë se dëshiron avancimin e arsenalit atomik për të siguruar se ky armatim është në “nivelin më të lartë”.

Gjatë një interviste të mbrëmshme me agjencinë Reuters, Trump ka argumentuar se Shtetet e Bashkuara kanë mbetur prapa në kapacitetin e armatimit bërthamor.

Ai e ka kritikuar marrëveshjen e vitit 2011 START me Rusinë, për kufizimin e armatimit strategjik, sipas së cilës kërkohet që të dy palët duhet t’i kufizojnë arsenalet e tyre të armatimit strategjik atomik deri në shkurt të vitit të ardhshëm, në nivel të barabartë për një periudhë 10 vjeçare.

Presidenti Donald Trump tha se kjo marrëveshje është e njëanshme, raporton Rel.

“Kjo është edhe një marrëveshje e keqe për vendin”, tha Trump dhe ka shtuar se “ne do të fillojmë të bëjmë marrëveshje të mira”.