Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan tërheqjen nga Marrëveshja e Forcave Nukleare me Rreze të Mesme (INF), e cila përbënte themelet e kontrollit të armëve bërthamore që nga Lufta e Ftohtë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, në një konferencë për media në Washington bëri të ditur se vendi i tij do të tërhiqet njëanshëm nga INF, e nënshkruar në vitin 1987 me Bashkimin Sovjetik, e cila parasheh ndalimin e raketave të pajisura me koka nukleare me rreze veprimi nga 500 deri në 5,500 kilometra.
Pompeo tha se për shkak të kalimit të afatit deri më 1 shkurt që i është njohur Rusisë për t’i dhënë fund shkeljeve ndaj marrëveshjes, vendi i tij nga dita e nesërme do të nisë procesin e tërheqjes së paraparë sipas nenit 15 të marrëveshjes.
Kryediplomati amerikan, Pompeo tha se brenda 6 muajve do t’u japin fund detyrimeve që burojnë nga marrëveshja.
Tërheqja vjen pasi SHBA dhe Rusia, nënshkruese të paktit në vitin 1987, së fundmi kanë akuzuar njëra-tjetrën në lidhje me marrëveshjen.
Në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-së në Bruksel në dhjetor të vitit të kaluar, Pompeo i kishte dhënë afat prej 60 ditësh Rusisë për ta respektuar marrëveshjen INF.
Anulimi i marrëveshjes ka shkaktuar shqetësime se gara e armëve mund të intensifikohet dhe të kërcënojë sigurinë e Evropës.
Pas njoftimit për tërheqje të SHBA-së, vendi do të ndahet tërësisht nga marrëveshja teknikisht pas një periudhe prej gjashtë muajsh. /Telegrafi/