Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të shtojnë deri në 100 për qind tarifat për një grup tjetër produktesh nga Bashkimi Evropian.
Zyra e Përfaqësuesit Tregtar të Shteteve të Bashkuara ka publikuar një listë të mallrave shtesë evropiane mbi të cilat do të vendosen tarifa, duke përfshirë uiskin irlandez e skocez dhe konjakun francez, përcjell Telegrafi.
Organizata Botërore e Tregtisë në muajin tetor tha se SHBA mund të marrë kundërmasa ndaj mallrave dhe shërbimeve të BE-së deri në një vlerë prej rreth 7.5 miliardë dollarësh në vit, si rezultat i mospërmbushjes nga BE-ja të vendimit të organizatës lidhur me subvencionet qeveritare për Airbusin.
Në të njëjtin muaj, SHBA ka njoftuar se do të vendos një tarifë prej 10 për qind mbi aeroplanët e mëdhenj civilë dhe një tarifë 25 për qind për produktet bujqësore dhe produkte të tjera nga BE-ja. /Telegrafi/