Shtetet e Bashkuara të Amerikës lansuan të mërkurën projektilin që mund të bart kokë nukleare në pjesën tjetër të botës.
Testimi i raketës nga baza ushtarake në bregdetin e Kalifonisë vjen në kohën e shtimit të tensioneve ndërmjet Uashingtonit dhe Pjong-jangut, i cili kërcënon me sulm nuklear.
Projektili interkontinental balistik “Minitmen 3”, pa kokë nukleare, u lansua nga baza ajrore Vandenberg dhe goditi cakun në Atolin Kvaxhalin në Oqeanin Paqësor, që ndodhet në distancë 6.800 kilometra, njoftoi Komanda e forcave ajrore luftarake të SHBA-ve.
Testi ishte përgatitur që dhjetë muaj. SHBA-të kanë rreth 450 projektilë me rreze veprimit prej 12.900 kilometra, transmeton KosovaPress.
Ky ishte testimi i dytë nga baza në Kaliforni për vetëm shtatë ditë.