Telegrafi

SHBA-të raportuan numër rekord të vdekjeve ditore shkaku i COVID-19

Shtetet e Bashkuara raportuan numrin më të lartë të vdekjeve nga coronavirusi që nga fillimi i epidemisë, rreth 3,900.

Dje, në ditën kur dhjetëra mbështetës të presidentit në ikje të SHBA-së, Donald Trump sulmuan Kongresin Amerikan dhe ndaluan për një kohë të shkurtër deputetët të konfirmonin fitoren e kandidatit demokrat, Joseph Biden në zgjedhje, 3.865 vdekje u regjistruan shkaku i COVID-19.

Çdo shtet federal amerikan regjistron një rritje në numrin e të infektuarve dhe të vdekurve, dhe Kalifornia u godit veçanërisht rëndë, ku u mbushën kapacitetet spitalore, raporton cnn.

Mbetet të shihet se çfarë efekti do të kenë mbledhjet e mijëra mbështetësve të Trump në Uashington, shumica e të cilëve nuk kanë mbajtur maska, në përhapjen e infeksionit.

Rreth 1.9 milion njerëz në të gjithë botën kanë vdekur nga coronavirusi, më shumë se 360 mijë prej tyre në Shtetet e Bashkuara. /Telegrafi/