Shtetet e Bashkuara mbështesin dialogun Beograd-Prishtinë dhe me krerët e Serbisë, Kosovës, si dhe me zyrtarët e BE-së, po konsiderojnë ide të ndryshme, por nuk kanë paraqitur asnjë propozim për një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve.
Kështu së paku shkruan agjencia serbe e lajmeve Beta, përjcjell Telegrafi, duke u thirrur në një përgjigje të marrë nga Ambasada amerikane në Beograd, rreth asaj nëse SHBA-të kanë ndonjë propozim të çfarëdo forme lidhur me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Amerika vazhdon të mbështesë dialogun e drejtuar nga BE, që synon normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, po flasim për idetë e ndryshme me krerët serbë dhe kosovarë, si dhe me zyrtarët e BE, por nuk kemi paraqitur ndonjë propozim”, citohet të ketë thënë Ambasada amerikane në Beograd, në një përgjigje dërguar agjencisë serbe të lajmeve. /Telegrafi/