Telegrafi

SHBA-të ndalojnë pajisjet elektronike në bordin e aeroplanëve nga 8 vende me shumicë myslimane

Administrata amerikane ka vendosur të ndalojë mbajtjen e pajisjeve elektronike në bagazhe për qytetarët që përdorin udhëtime në rrugë ajrore nga 8 vende me shumicë myslimane.

Një burim qeveritar ka deklaruar për BBC se, masa në fjalë do të prekë 9 linja ajrore që veprojnë nga 10 aeroporte, shumica e të cilëve në vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore.

Sipas burimit, masa do të përfshijë pajisje si laptop, tableta me kamera, pajisje DVD dhe lojëra elektronike, por jo telefonat.

Departamenti i Sigurisë së Brendshme refuzoi të bënte komente, por pritet që lidhur me çështjen të dalë me një njoftim për shtyp më vonë gjatë ditës.

Edhe Administrata për Sigurinë e Transporteve refuzoi gjithashtu të komentonte.

Lista e linjave ajrore që preken nga kjo masë nuk është publikuar ende, por një zyrtar tha për “Associated Press” se ajo do të aplikohet në 10 aeroporte nga 8 vende: Aman, Jordani; Kajro, Egjipt; Stamboll, Turqi; Jedah, Arabi Saudite; Riad, Arabi Saudite; Kuvajt; Kazablanka, Marok; Doha, Katar; Dubai, EBA; Abu Dhabi, EBA.